E enjte, 19 Shtator, 2024
13.7 C
Pristina

Konjufca: Veriu do të përfundonte në negociata me klasën e vjetër politike, nuk u frikësohemi kërcënimeve të Vuçiqit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur për situatën në veri, procesin e dialogut, kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe aktakuzën në rastin e Bajnskës.

Konjufca ka thënë se po të ishte në pushtet klasa e vjetër politike, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata.

“Ju kujtohet ishte një bojkotim i orkestruar prej anës së institucioneve, policëve që dhanë dorëheqje, kryetarëve të komunave dhe Kosova ishte para dy opsioneve.

Unë jam i sigurt se po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë do të kishim përfundu në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë. Opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht.

Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, kushtëzimeve dhe imponimeve veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Ky nuk ka qenë opsion për LVV dhe qeverisjen e saj”, ka thënë Konjufca.

Ai ka folur edhe për deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Konjufca ka thënë se nuk i bëjnë përshtypje kërcënimet e tilla.

“Vuçiqi po tenton t’i ruaj ato që nuk i ka më dhe po kërcënon Kosovën përmes konferencave për shtyp. Është kërcënim që neve nuk na bënë përshtypje, ne nuk frikësohemi e shqetësohemi sepse në atë pjesë janë institucionet e Kosovës, ato sigurisë dhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marrë pjesë në procesin politik dhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik”, tha Konjufca.

Ai shtoi se substanca e strukturave paralele tashmë është hequr nga Kosova. Sa i përket dialogut, Konjufca ripërsëriti që ky proces ka vdekur tashmë.

“Unë kam thënë se me këtë strukturë dialogu tashmë ka vdekur, ta shohim qa po ndodh në vitin 2025”, tha ai.

Lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, Konjufca u shpreh se :“nga kuptimi politik do të thoja që është një aktakuzë e cila mendoj që për nga definicioni i çështjeve që ka ngrit ka goditur në shenjë. Synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjese të Kosovës, me këtë pretendim ka pasur njerëz që kanë bërë shaka por kjo nuk është shaka por e vërtetë. E dyta grupi terrorist e ka pasur mbështetjen e Serbisë, dhe e treta dhe katërta janë tentimi për me shkatrrëu rendin kushtetues dhe sigurinë nacionale të Kosovës, dhe aspekti i kriminalitetit të madh financiar”. /Telegrafi/

Nga Rubrika