E premte, 20 Shtator, 2024
15.5 C
Pristina

Kurti merr pjesë në drekën e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, të thirrur nga Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen ditë më parë ka emëruar ekipin e ri të lartë të Komisionit, ndërsa shumë shpejt pas kompletimit të ekipit sot do të mbajë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drekë pune i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Po, kryeministri do të jetë i pranishëm në drekë”, thanë shkurt për Telegrafin.

Ndryshe, në këtë drekë pune pritet të diskutohet agjenda e reformave dhe Plani i Rritjes.

Këshilli i Bashkimit Evropian në maj kishte miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument kyç për mbështetjen e reformave të lidhura me BE-në dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në rajon.

Vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë i kanë dorëzuar agjendat e tyre të reformave Komisionit Evropian, duke përfshirë reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të zbatojnë gjatë tre viteve të ardhshme.

Plani i Rritjes për periudhën 2024-2027 synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor me një fond prej gjashtë miliardë euro, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë janë kredi me kushte shumë të favorshme.

Qëllimi kryesor i planit është harmonizimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me vlerat dhe standardet e BE-së, për të përgatitur anëtarësimin e tyre të ardhshëm dhe për të lehtësuar integrimin në tregun e vetëm evropian.

Ndihma financiare synon gjithashtu përkrahjen e reformave në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe zhvillimin socio-ekonomik.

Vendet që përfitojnë nga ky plan do të duhet të përgatisin agjenda të qarta reformash dhe të kontribuojnë në përputhjen progresive me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Nga Rubrika