E enjte, 10 Tetor, 2024
14.3 C
Pristina

Çuni: Institucionet e sigurisë duhet të hetojnë bisedat e Kusari –Lilës me Radoiçiqin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, ka kërkuar ngritjen e alarmit nga të gjitha institucionet e sigurisë për të zbuluar detajet e bisedave të të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me Milan Radoiçiqin dhe Slavko Simiqin e Listës Serbe.

Çuni ka theksuar se është e rëndësishme të kuptohet epilogu i këtyre bisedave dhe pasojat që ato mund të kenë.

“Do të duhet të ngritët alarmi i të gjitha institucioneve të sigurisë që të zbulojnë deri në detajet më të vogla se cili ishte motivimi për këto biseda, cili ishte epilogu dhe tani cilat janë pasojat,” deklaroi Çuni.

Ai gjithashtu komentoi mbi deklaratat që lidhen me një luftë hibride dhe potencialin për manipulim nëpërmjet inteligjencës artificiale.

Sipas tij, nëse del që këto biseda janë sajuar me qëllim të caktuar, ata që qëndrojnë pas kësaj duhet të përballen me organet e drejtësisë.
Çuni nënvizoi rëndësinë e hetimeve të plota për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri në këtë çështje.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka theksuar se Grupi Parlamentar i PDK-së do të mbajë një takim të enjten për të diskutuar lidhur me audio-incizimin e ri të Mimoza Kusari –Lilës, e cila dëgjohet duke folur me Milan Radoiçiqin, i akuzuar kryesor për rastin Banjska dhe të sanksionuarin e ShBA-së.

Haxhiu ka kritikuar Kusari-Lilën, duke thënë se ajo nuk ka kredibilitetin dhe imunitetin e nevojshëm për të mbajtur pozitën e deputetes.

“Kusari-Lila nuk e ka kredibilitetin as imunitetin për të qëndruar deputete në Kuvendin e Kosovës, sepse asnjëri prej nesh nuk merr mandat në dëm të Gjykatës së Kushtetueses, në dëm të veteranëve e kundër interesave të Kosovës. Kjo s’ka asnjë kuptim”, ka deklaruar ai ne Debat Plus, të RTV Dukagjini. /Dukagjini/

Nga Rubrika