Web Analytics

Draft-statuti për Asociacionin a mund të dërgohet për “vlerësim” në Gjykatën Kushtetuese?

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është rikthyer në vëmendje disa ditë para se të mblidhet Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, pasi Gjermania, Franca e Italia kanë kërkuar hapa konkret në drejtim të themelimit të Asociacionit për ofrimin e mbështetjes ndaj Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.

“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.

“Nëse më datë 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel vetëm atëherë ai draft do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Si i tillë është një jo dokument një non-paper. Qeveria nuk mund të dërgoj dokumente që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha Kurti.

Por a mund të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës një “draft statut”?

Durim Berisha, jurist kushtetues në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kushtetuta dhe ligjet që rregullojnë kompetencën dhe llojet e procedurave që zhvillohen pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk i njohin asaj të drejtën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “drafteve” të akteve juridike.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është e autorizuar që të vlerësojë kushtetutshmërinë e akteve juridike që janë nxjerrë nga institucionet përkatëse.

“Përjashtimisht vetëm amendamentet kushtetuese duhet të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese para se të votohen në Kuvend. Përpos mungesës së kompetencës së Gjykatës për të vlerësuar drafte të akteve juridike, pengesë e dytë është fakti se nuk ekziston asnjë palë e autorizuar që të kërkojë nga Gjykata vlerësim të drafteve të tilla”, vlerësoi Berisha.

Tutje ai tha se “mungon baza juridike për të iniciuar një procedurë të tillë dhe mungon kompetenca e Gjykatës për të vlerësuar jo vetëm një draft-statut, por edhe sikur një statut të miratohej nga Qeveria, Kushtetuta e as ligjet nuk e njohin kompetencën e Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë një akt të tillë juridik, sepse statuti i një asociacioni nuk është as dekret i kryeministrit, as rregullore e Qeverisë”.

Berisha theksoi tutje se para se të ndërmerrej ndonjë veprim, do të ishte e udhës që Kuvendi të plotësonte përmes ndryshimeve ligjore kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe palët e autorizuara që mund të legjitimohen për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një draft-statuti apo statuti të miratuar. /Telegrafi/

Nga rubrika