E shtunë, 19 Tetor, 2024
13 C
Pristina

Krasniqi: Pse e duan njerëzit spektaklin ‘ Big Brother‘?

A u kujtohet çka u kam thënë, pse e duan njerëzit spektaklin “Big Brother!”

Spektakli “Big Brother” la pas vetes disa dilema të rrejshme të dy grupeve hipokrite: elitës intelektuale dhe asaj fetare. Këta shfaqen habi dhe pakënaqësi për publikun enorm të spektaklit ( spektakleve) dhe për përmbajtjet problematike. Moralizuan dhe e mbyllën dilemën e tyre, duke larë duart.

Ndërsa e vërteta është si vijon: populli, më saktë kombi ynë, i vuan pasojat e izolimit, defetarizimit dhe të çmoralizimit komunist. I vuan pasojat e arsimit të dobët. I vuan pasojat e brutalitetit të qeverisjeve. I vuan pasojat e drejtësisë së munguar. I vuan pasojat e medieve klienteliste.

I vuan më së shumti pasojat e hipokrizisë së elitave intelektuale dhe atyre fetare. I mbetur pa udhëzues dhe pa përfaqësim, shqiptari i braktisur kërkon azil dhe argëtim edhe në përmbajtje si “Big Brother.” Aty ka degraduar niveli i tij dituror dhe moral. Po kush e ka lënë në atë nivel? Në atë nivel e kanë lënë elita intelektuale dhe ajo fetare, me hipokrizitë e tyre. Elita intelektuale dhe ajo fetare më të shumtën flasin për gjërat që nuk i bëjnë vetë. Shpesh flasin për gjëra që nuk janë reale e as të dobishme.

Ndërsa punë që janë të mundshme dhe të dobishme, kjo dorë intelektualësh nuk përpiqen t’i realizojnë. Njeriu i papërfaqësuar, krahas injorimit që i bëhet dhe mjerimit ku jeton, e ka edhe një problem madhor: nuk di kujt t’ia ofrojë besnikërinë. Të gjithë ia kanë me hile, të gjithë e gënjejnë. Për të mos iu djegë e vetmja kartë që ka në dorë, besnikëria, atë ua jep njerëzve që e përfaqësojnë mjerimin e tij: personazheve të një spektakli sadist. (9 maj 2023) Ripostim 11 shkurt 2024.

Nga Rubrika